Isa Mustafa: Jemi kundër ndryshimit të kufijve qoftë me Serbinë apo Shqipërinë

Isa Mustafa: Jemi kundër ndryshimit të kufijve qoftë me Serbinë apo Shqipërinë

Aktuale October 17, 2019 - 22:35
Detajet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ky subjekt politik është kundër ndryshimit të kufijve në relacion me Serbinë, por edhe me Shqipërinë.

Kështu ka thënë ai në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, duke shtuar se LDK nuk është e interesuar që ta hapë tema që vejnë në pikëpyetje sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Bashkimi Europian është treguar i paaftë që ta detyrojë Serbinë që t’i zbatojë marrëveshjet në raport me Kosovën”.

“Për këtë arsye ne kemi kërkuar përfshirje të SHBA-ve në çështjen e dialogut me Serbinë. Në arenën ndërkombëtare kemi marrëveshje që janë nënshkruar para 20 vjetëve dhe sot e kësaj dite kanë mbetur e pazbatuara. Neve na duhen marrëveshje që zbatohen”.

“Përcaktimin tonë në e kemi për shtetin e Kosovës. Nëse flasim për ndryshim kufijsh, ne nuk flasim vetëm në relacion me Serbinë, por ne jemi plotësisht kundër ndryshimit të kufijve edhe me Shqipërinë.

“Ne këtë shtet e kemi ndërtuar mbi këta kufij – me këta kufij na kanë njohur mbi 106 shtete. Ne duam që me këta kufij ta zhvillojmë Kosovën dhe mos të hapin tema tjera që e vejnë në pikëpyetje sovranitetin e shtetit tonë”.

“Ne si LDK jemi përcaktuar për plaftormën tonë për dialog me Serbinë dhe kemi thënë se dialogu mund të zhvillohet vetëm me njohje reciproke – se territori dhe integriteti nuk mund të jenë pjesë e negociatave me Serbinë. Ne asnjë mënyrë nuk pranojmë që t’i japim Serbisë territor të Kosovës”.