Fjalë jetës

Jeta ime.
Grisa të djeshmen me duar të ftohta
dje, kur të urreva pse nuk qeshe,
kur më urreve pse nuk të qesha
në mungesë fryme,
në mungesë fjale,
në harresë prekjeje.
Ishim njëjtë të dyja,
me mëkatin e marrë nga bota tjetër
ngjasonim me simfoni të harruar.
Dje, si ti si unë urryem
të ngurosura në këndin e errët,
ndërsa sot vuajmë.
Jeta ime
ku mbeti gjumi që na bashkonte?
Dje ika pse nuk më thirre,
ti ike pse nuk të kërkova,
dhimbjen në shpirt lamë të dyja
teksa hëna harroi të ndriçonte.
Dje, si ti ashtu edhe unë ikëm,
këmishën e natës harruam mbi krevat,
ndërsa sot vuajmë lakuriqësinë.

Jeta ime.
Grisa të djeshmen në dritën e qiririt
dje, kur të mallkova pse nuk qëndrove,
kur më mallkove edhe ti
në prani fytyre,
në prani pikture,
në soditje qerpikësh.
Ishim njëjtë jetë
të etura për të vërtetën,
për ëndrrën që frymëzon mëngjesin.
Dje, si ti edhe unë mallkuam
për të mos i lënë gjë shiut,
ndërsa sot gënjehemi.
Jeta ime
ku mbetën ëndrrat tona?
Dje harrova se më kërkove,
ti harrove se ishe në kërkim,
botës u munduam t’i vëmë emër
teksa zogu sodiste fytyrë femre.
Dje, si ti ashtu edhe unë kërkuam,
kur vargu i Serembes largonte gjumin
nga qerpikët e vashës boheme,
ndërsa sot na merret fryma.

Jeta ime.
Grisa të djeshmen me petale trëndafili
dje, kur t’i përbuza arsyet e forta,
kur m’i përbuze arsyetimet
në frymë shkurti,
në frymë femre,
në varg poeteje.
Ishim njëjtë të dyja,
kur këmisha ndjente artin
dhe lutej të vinte pranvera.
Dje, si ti si unë përbuzëm
kur qyteti me maskë shihte,
ndërsa sot pendohemi.
Jeta ime
kush do na bashkon sërish?
Bashkë treguam armiqësinë e lashtë,
qeshëm me fytyra të rreme,
por jeta ime
a do bëhemi bashkë në fund?

Shkruan:
Adelina Xhaferi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button