Basha: Kolegji Zgjedhor, fasadë e regjimit të Edi Ramës

Pak orë pasi Kolegji Zgjedhor la në fuqi datën 30 Qershor si datën e zgjedhjeve lokale duke mos çregjistruar nga gara elektorale partinë Uniteti Kombëtar, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili e ka quajtur këtë trupë “fasadë e regjimit të Edi Ramës”, transmeton Klan.

Vendimin, Basha e quajti të parëndësishëm dhe “pjesë e një skenari të trashë”.

“Kolegji zgjedhor ka marrë sot një vendim krejtësisht të parëndësishëm, por që po përdoret nga Edi Rama si makinacion për të krijuar një ligjshmëri fals të votimeve farsë të 30 Qershorit, të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i përgatit dhe zbaton në shkelje të Kushtetutës dhe të çdo ligji. Kolegji Zgjedhor ka kompetencë vetëm shqyrtimin e mosmarrëveshjeve që lidhen me procesin zgjedhor, dhe vetëm në bazë të Kodit Zgjedhor. Asnjë institucion përveç Gjykatës Kushtetuese nuk mund të shprehet për dekretin e Presidentit të Republikës.”

Basha tha se vendimi i sotëm kishte disa ditë që dihej si fakt i kryer në rrethet politike dhe mediatike të Tiranës.

“Është e gjitha një histori makinacioni, e përgatitur në çdo detaj nga Edi Rama. Me një skenar të trashë, u sajua një kërkesë fals, nga një parti fals, në bazë të së cilës Kolegji Zgjedhor shpalli një vendim të parapërgatitur nga Edi Rama, për ta shitur edhe jashtë vetë objektit të vendimit.”

Kryedemokrati tha se lehtësia me të cilën ndodhi e gjitha kjo, përpara syve dhe vëmendjes së të gjithë shqiptarëve, tregon jo vetëm kontrollin e plotë që Edi Rama gëzon mbi drejtësinë, dhe mbi çdo institucion të vendit por edhe shpërfilljen totale që ai ka ndaj ligjit, institucioneve dhe demokracisë.

“Në këtë turravrap të tij autokratik dhe kriminal, ai po rreket që të krijojë fasadën e zgjedhjeve legjitime. Po përpiqet ta paraqesë çdo gjë normale. Asgjë nuk është normale. Kjo duket nga pamja e Edi Ramës duke bërë fushatë nëpër Shqipëri, sikur të jetë duke vizituar një territori armik, i mbrojtur nga mijëra forca policore.”

Basha akuzoi kryeministrin Rama se po garanton mbrojtjes e zyrtarëve të përfshirë në përgjimet e publikuara nga gazeta “Bild”

Gjiknurët, Dakot, Manjat dhe drejtuesit e lartë të PS së bashku me bandat e krimit të organizuar vazhdojnë të jenë të paprekur dhe të lire për të kërcënuar qytetarët të dalin në zgjedhjet farsë. Si gjithmonë, Edi Rama po garanton mbrojtjen e tyre, përmes prokurorisë dhe institucioneve të zbatimit të ligjit që kontrollohen prej tij.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button