Vendimi paraelektoral i Veselit

Vendimi paraelektoral i Veselit

Aktuale June 22, 2019 - 10:47
Lexo tjera detaje

Partia Demokratike e Kosovës me vendimin e fundit për largim nga detyra të zyrtarëve që kanë aktakuza po vlerësohet se po e bën gati elektoratin e saj për zgjedhje të reja. Duke parë nismën e opozitës për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë analistët vlerësojnë se PDK-ja mund të marrë hise në rrëzimin e kësaj Qeverie, siç ka bërë edhe më herët me partnerët e saj, shkruan gazeta "Zëri".

Analisti politik, Dashnim Ismajli, ka thënë për gazetën “Zëri” se vendimi i Veselit për ta luftuar korrupsionin nuk është serioz dhe ngjason me fushatë zgjedhore.“Mendoj se po të ishte nismë serioze kjo e Veselit, do të bëhej që moti. Këto lloje nismash i ngjasojnë një fushate paraelektorale, ngaqë zyrtarë të PDK-së po edhe të partive tjera kanë aktakuza të kahershme, marrim rastin e ‘Prontos’, mandej skandali me pasaporta, PTK-ja, raste të tjera nga privatizimi i ndërmarrjeve publike, kontrata të dyshimta nga Ministria e Infrastrukturës, e shumë-shumë skandale të tjera që duhet të hetohen dhe vendimmarrësit të vihen para përgjegjësisë”, ka theksuar Ismajli, shkruan tutje gazeta "Zëri".

Njëjtë pohon edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Mazllum Baraliu. Ai ka thënë se vendimi i Veselit mund ta rrisë elektoratin e PDK-së dhe ta përgatisë për zgjedhje të parakohshme. "Iniciativa e PDK-së që menjëherë pas Konventës të largojë nga detyra zyrtarët me aktakuza është vendim që mund të ndikojë në rritjen ose në rikthimin e besimit të elektoratit në PDK. Dhe veprimi i fundit i PDK-së, por edhe disa veprime tjera të kësaj partie mund të konsiderohen si sinjale për përgatitje për zgjedhje", ka thënë Baraliu.

Meqenëse në konventën festive të PDK-së u prezantua edhe kandidati i saj për kryeministër, Baraliu thekson se ky është një sinjal tjetër që Veseli po e përgatit terrenin për të shkuar në zgjedhje. Madje ai thekson se mund të jenë votat e PDK-së ato që mund ta bëjnë të suksesshëm mocionin e opozitës dhe ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. "Suksesi i mocionit të opozitës varet nga serioziteti, planifikimi dhe gatishmëria e atyre zërave votues që mungojnë për ta bërë të suksesshëm mocionin. Ka gjasa edhe teorike, edhe praktike për mocion. Ka indikatorë të shumtë realë që shkojnë deri te mocioni. Duke parë këto sinjale të PDK-së dhe duke u bazuar pikërisht në praktikat e mëhershme të tyre për ta rrëzuar Qeverinë, në rast të ngritjes së mocionit, kjo parti mund të votojë pro", ka thënë Baraliu për gazetën “Zëri”.