PDK-ja po e përgatit terrenin për zgjedhje
Foto: Laura Hasani

PDK-ja po e përgatit terrenin për zgjedhje

Aktuale June 22, 2019 - 07:58
Lexo tjera detaje
Image

Partia Demokratike e Kosovës me vendimin e fundit për largim nga detyra të zyrtarëve që kanë aktakuza po vlerësohet se po e bën gati elektoratin e saj për zgjedhje të reja. Duke parë nismën e opozitës për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë analistët vlerësojnë se PDK-ja mund të marrë hise në rrëzimin e kësaj Qeverie, siç ka bërë edhe më herët me partnerët e saj, shkruan sot gazeta "Zëri".

Vendimi i fundit i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli për largimin nga detyra të zyrtarëve të partisë me aktakuza po cilësohet se ka disa prapavija. Për shkak të nismës së opozitës për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë “Haradinaj” vlerësohet se Veseli bashkë me partinë e tij po bëjnë veprime që mund t’i shërbejnë si fushatë elektorale për shkak të gjasave të mëdha që vendi të shkojë në zgjedhje së shpejti. Madje analistët theksojnë se duke njohur praktikat e mëhershme të PDK-së, kjo parti edhe mund të marrë pjesë në rrëzimin e Qeverisë pa paralajmëruar për një gjë të tillë.

Vendimi paraelektoral i Veselit

Analisti politik, Dashnim Ismajli, ka thënë për gazetën “Zëri” se vendimi i Veselit për ta luftuar korrupsionin nuk është serioz dhe ngjason me fushatë zgjedhore.“Mendoj se po të ishte nismë serioze kjo e Veselit, do të bëhej që moti. Këto lloje nismash i ngjasojnë një fushate paraelektorale, ngaqë zyrtarë të PDK-së po edhe të partive tjera kanë aktakuza të kahershme, marrim rastin e ‘Prontos’, mandej skandali me pasaporta, PTK-ja, raste të tjera nga privatizimi i ndërmarrjeve publike, kontrata të dyshimta nga Ministria e Infrastrukturës, e shumë-shumë skandale të tjera që duhet të hetohen dhe vendimmarrësit të vihen para përgjegjësisë”, ka theksuar Ismajli.

Njëjtë pohon edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Mazllum Baraliu. Ai ka thënë se vendimi i Veselit mund ta rrisë elektoratin e PDK-së dhe ta përgatisë për zgjedhje të parakohshme. "Iniciativa e PDK-së që menjëherë pas Konventës të largojë nga detyra zyrtarët me aktakuza është vendim që mund të ndikojë në rritjen ose në rikthimin e besimit të elektoratit në PDK. Dhe veprimi i fundit i PDK-së, por edhe disa veprime tjera të kësaj partie mund të konsiderohen si sinjale për përgatitje për zgjedhje", ka thënë Baraliu.

Meqenëse në konventën festive të PDK-së u prezantua edhe kandidati i saj për kryeministër, Baraliu thekson se ky është një sinjal tjetër që Veseli po e përgatit terrenin për të shkuar në zgjedhje. Madje ai thekson se mund të jenë votat e PDK-së ato që mund ta bëjnë të suksesshëm mocionin e opozitës dhe ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.

"Suksesi i mocionit të opozitës varet nga serioziteti, planifikimi dhe gatishmëria e atyre zërave votues që mungojnë për ta bërë të suksesshëm mocionin. Ka gjasa edhe teorike, edhe praktike për mocion. Ka indikatorë të shumtë realë që shkojnë deri te mocioni. Duke parë këto sinjale të PDK-së dhe duke u bazuar pikërisht në praktikat e mëhershme të tyre për ta rrëzuar Qeverinë, në rast të ngritjes së mocionit, kjo parti mund të votojë pro", ka thënë Baraliu për gazetën “Zëri”.

Vendimet e PDK-së nuk kanë prapavija

Mirëpo një skenar të tillë e ka demantuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës. Hajdar Beqa, i cili ka thënë për “Zërin” se vendimet e PDK-së nuk kanë kurrfarë prapavije. "Unë konsideroj se janë të paqëndrueshme deklaratat se PDK-ja me vendime të tilla po përgatitet për zgjedhje. Veprimet që i ka marrë PDK-ja, respektivisht lideri i saj zoti Veseli, konsideroj se kanë krijuar një kthesë pozitive në Republikën e Kosovës dhe kanë bërë një standard të ri, i cili vlen për të gjithë", ka theksuar Beqa.

Se PDK-ja po bën veprime elektorale e ka pohuar edhe deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, e cila ka shtuar se nisma e Veselit është veprim për fushatë dhe nuk është i sinqertë.

"Kjo nismë nuk duket e sinqertë. Duket më shumë si një aksion për qëllime elektorale, sepse votuesit e tyre kanë filluar ta braktisin PDK-në dhe nuk besoj në një reformim të PDK-së përderisa ajo është në pushtet. PDK-ja duhet të kalojë në opozitë në mënyrë që të merret me veten dhe të pastrohet nga elementet e saj të korruptuar e që nuk janë pak", ka thënë deputetja e PSD-së Shqipe Pantina.

Tri javë, asnjë takim për mocionin

Deputetja Pantina ka bërë të ditur për "Zërin" se ka pothuajse tri javë që opozita nuk është mbledhur të diskutojë për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Mirëpo ajo thekson se PSD-ja qëndron prapa nënshkrimeve që ka dhënë. "Takimi i fundit që e kemi pasur me LDK-në ka qenë para afërsisht tri javësh kur kryetari Ahmeti është takuar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën. Opozita duhet ta hartojë një strategji se si do t’i qaset ndonjërës nga partitë në koalicion ose deputetëve, të cilët janë të gatshëm për ta rrëzuar këtë Qeveri. Por deri tani nuk ka pasur takime tjera edhe për faktin që LDK-ja si iniciuese e kësaj nisme është në proces të brendshëm zgjedhor", ka thënë Pantina.

Tutje ajo është shprehur se PSD-ja nuk do të pranojë ta rrëzojë Qeverinë me votat e Listës Serbe ose për shkak të taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Opozita, joserioze

Dashnim Ismajli vlerëson se opozita në Kosovë është joserioze sa i përket ngritjes së mocionit dhe sipas tij po bën vetëm zhurmë sa për të mos e marrë barrën e fajit për mosndalimin e veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë. Ismajli thekson se Kosova ka humbur mjaft shumë me qeverinë e aktuale, të cilën e cilëson si të papërgjegjshme dhe e cila do të duhej të rrëzohej qoftë edhe me votat e Listës Serbe.

“Edhe po qe se një nismë e tillë e opozitës do të jepte rezultate dhe do të prodhonte zgjedhje të reja konsideroj se Kosova ka humbur vite me këtë Qeveri të dëmshme, joefikase dhe të papërgjegjshme. Mendoj se qeveria aktuale sa më herët që do të rrëzohej, aq më mirë do të ishte për vetë vendin dhe perspektivën e tij. Unë mendoj se po të jetë nevoja edhe me votat e Listës Serbe rrëzimi i kësaj Qeverie do të ishte i mirëseardhur”, ka shtuar Ismajli./ZËRI