Gaxherri: Vendimi i Veselit, për përfitime politike

Gaxherri: Vendimi i Veselit, për përfitime politike

Aktuale June 21, 2019 - 11:01
Lexoni detajet

Janë partnerë të koalicioni qeverisës, mirëpo jorrallëherë paraqiten të paunifikuar rreth çështjeve të rëndësishme për Kosovën. Ndonëse kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, para dy ditësh mori vendim për t’i larguar nga pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza, partnerët e koalicionit nuk kanë dhënë kurrfarë sinjali deri sot se do ta bëjnë një gjë të tillë me zyrtarët e partive të tyre, shkruan Gazeta "Zëri". 

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, e ka cilësuar joserioze nismën e Veselit për ta luftuar korrupsionin e nepotizmin.

“Kjo është dhe një taktikë për përfitime politike e Veselit, sepse për të treguar se e ka seriozisht duhet të fillojë nga koka dhe pastaj ta dëshmojë se po e lufton krimin e korrupsionin në shëndetësi, në arsim, në kulturë, në ekonomi e në të gjitha fushat e tjerat. E kur luftohen personat që janë të instaluar nëpër këto dikastere, atëherë mund të mendoj se në të vërtetë Veselit i paska rënë ndërmend për të bëmat e tyre”, ka thënë deputetja e LDK-së për "Zërin". 

Veprimet e tilla sipas Gaxherrit janë vetëm sa për ta mjegulluar situatën.

“Ne jemi dëshmitarë të gjithë që në çfarë forme është i instaluar krimi i organizuar në Kosovë dhe nga kush është instaluar, kush është në kokë të krimit të organizuar. Prandaj këto taktika politike mund të jenë vetëm sa për t’u hedhur hi syve”, është shprehur ajo.

Pavarësisht deklarimeve të opozitës se nisma e Veselit nuk ka bazë serioziteti, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka mirëpritur këtë hap të të parit të PDK-së.

“E mirëpres vendimin e lidershipit të PDK-së për t’i larguar nga postet publike anëtarët me aktakuza. Pres që ky standard të zbatohet në të gjithë spektrin politik dhe nga të gjitha partitë në Kosovë”, ka deklaruar Apostolova. Ndërkombëtarët në vazhdimësi kishin kërkuar që në pozita drejtuese të mos emëroheshin persona me aktakuza. /ZERI