Skepticizëm mbi nismën e Veselit për ta luftuar korrupsionin

Skepticizëm mbi nismën e Veselit për ta luftuar korrupsionin

Aktuale June 21, 2019 - 08:06
Lexoni detajet
Image

Janë partnerë të koalicioni qeverisës, mirëpo jorrallëherë paraqiten të paunifikuar rreth çështjeve të rëndësishme për Kosovën. Ndonëse kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, para dy ditësh mori vendim për t’i larguar nga pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza, partnerët e koalicionit nuk kanë dhënë kurrfarë sinjali deri sot se do ta bëjnë një gjë të tillë me zyrtarët e partive të tyre, shkruan sot Gazeta 'Zëri".

Përkundrazi, teksa ka folur rreth vendimit të Veselit, kryeministri Ramush Haradinaj e i cili njëherësh është kryetar i AAK-së ka thënë se asnjë veprim i tij nuk do të jetë i ndërlidhur me veprimet e të tjerëve.

LEXO EDHE: Samiti i Parisit, më afër dështimit se realizimit

Në anën tjetër, edhe nisma e Veselit për ta luftuar korrupsionin po shihet me skepticizëm nga opozita e nga shoqëria civile, shkruan më tutje "Zëri". 

Zyrtarët e opozitës thonë se veprimi i fundit i të parit të PDK-së është bërë vetëm sa për të përfituar politikisht.

Ndërkohë, duke e ditur se si funksionon sistemi i drejtësisë në Kosovë, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile nuk përjashtohet mundësia që zyrtarët e larguar nga pozitat shumë shpejt të marrin aktgjykimet shfajësuese dhe të kthehen sërish në postet e deritanishme.

Dorëhiqet Beqaj, i bindur se do të dalë i pafajshëm

Pas vendimit të fundit të kryetarit të PDK-së Kadri Veselit, gjatë ditës së djeshme ka ofruar dorëheqjen ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj. Me këtë rast Beqaj ka thënë se vendimi i Veselit për t’i larguar nga pozita zyrtarët me aktakuza është angazhim i përbashkët i partisë.

“Fillimisht dëshiroj të reflektoj shkurtimisht në lidhje me vendimin e PDK-së. Konsideroj që ky është angazhim i përbashkët i të gjitha strukturave udhëheqëse të PDK-së, pjesë e së cilës jam edhe vetë, që të eliminohen paragjykimet dhe akuzat me pretendime në lidhje me proceset gjyqësore të zyrtarëve të PDK-së”, ka deklaruar ai.

Me këtë rast Beqaj ka thënë se është i sigurt që akuzat në drejtim të tij janë të pavërteta. Beqajt para më shumë se një viti i ishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe të banorëve të Republikës së Kosovës” në rastin “Pronto”.

“Në rastin tim, unë jam plotësisht i bindur se këto akuza janë të pabazuara në fakte dhe në argumente ligjore dhe që drejtësia do ta vërtetojë këtë”, ka theksuar ai.

Haradinaj: Veprimet e mia nuk ndërlidhen me veprimet e askujt

Se ka pranuar dorëheqjen e Beqajt ka njoftuar dje kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Por ai ka bërë të ditur se ende nuk e ka liruar nga detyra zëvendësministrin e Mbrojtjes Agim Çekun.

“Sot kam liruar nga detyra ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, e kam falënderuar për bashkëpunim, ai vetë e solli dorëheqjen. Nuk e kam liruar zëvendësministrin Çeku, po pres një shkresë zyrtare nga kryetari Veseli si propozim për ndryshim, sepse janë emërime politike”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse edhe ai do të veprojë sikurse Veseli, që t’i largojë zyrtarët me aktakuza, shefi i ekzekutivit ka thënë se asnjë veprim i tij nuk do të ndërlidhet me veprimet e të tjerëve, duke lënë të nënkuptohet se nuk do t’i largojë nga pozitat zyrtarët ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza.

“Asnjë veprim imi nuk ndërlidhet me ndonjë veprim tjetër. Këto aktakuza nuk janë të reja, janë qe një vit. Unë si kryetar Qeverie dhe partie vendimet nuk i kam të ndërlidhura me ndonjë veprim tjetër”, ka deklaruar Haradinaj, pavarësisht se edhe në partinë e tij ka ministra me aktakuza.

Gaxherri: Vendimi i Veselit, për përfitime politike

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, e ka cilësuar joserioze nismën e Veselit për ta luftuar korrupsionin e nepotizmin

. “Kjo është dhe një taktikë për përfitime politike e Veselit, sepse për të treguar se e ka seriozisht duhet të fillojë nga koka dhe pastaj ta dëshmojë se po e lufton krimin e korrupsionin në shëndetësi, në arsim, në kulturë, në ekonomi e në të gjitha fushat e tjerat. E kur luftohen personat që janë të instaluar nëpër këto dikastere, atëherë mund të mendoj se në të vërtetë Veselit i paska rënë ndërmend për të bëmat e tyre”, është shprehur deputetja e LDK-së.

Veprimet e tilla sipas Gaxherrit janë vetëm sa për ta mjegulluar situatën.

“Ne jemi dëshmitarë të gjithë që në çfarë forme është i instaluar krimi i organizuar në Kosovë dhe nga kush është instaluar, kush është në kokë të krimit të organizuar. Prandaj këto taktika politike mund të jenë vetëm sa për t’u hedhur hi syve”, është shprehur ajo.

Pavarësisht deklarimeve të opozitës se nisma e Veselit nuk ka bazë serioziteti, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka mirëpritur këtë hap të të parit të PDK-së.

“E mirëpres vendimin e lidershipit të PDK-së për t’i larguar nga postet publike anëtarët me aktakuza. Pres që ky standard të zbatohet në të gjithë spektrin politik dhe nga të gjitha partitë në Kosovë”, ka deklaruar Apostolova. Ndërkombëtarët në vazhdimësi kishin kërkuar që në pozita drejtuese të mos emëroheshin persona me aktakuza.

Ismaili: S’përjashtohet mundësia që zyrtarët e larguar së shpejti të marrin aktgjykimet shfajësuese

Valmir Ismaili, nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, ka thënë se pavarësisht mangësive që ka, nisma e Veselit mund të konsiderohet si pozitive për faktin që është e para që po ndërmerret nga një subjekt i caktuar politik në vend. Por nisma në fjalë sipas tij do të cilësohej më e plotë sikur kryetari i PDK-së t’ua ndalonte zyrtarëve të këtij subjekti të garonin në zgjedhjet brenda partisë.

“Kjo nismë do të ishte më kuptimplotë nëse Veseli do t’ua ndalonte paraprakisht këtyre personave të garojnë në zgjedhjet e brendshme në PDK. Pra vetëm dy ditë pasi këta persona u zgjodhën në Këshillin Drejtues të PDK-së dhe rizgjodhën Veselin për kryetar të PDK-së ai merr këtë vendimin për shkarkim dhe suspendim, duke ua lënë të hapur mundësinë që ata të rikthehen në parti në rast se rastet e tyre përfundojnë me gjykim shfajësues”, ka deklaruar ai.

Duke e ditur se si funksionin sistemi i drejtësisë në Kosovë, sipas Ismailit, nuk përjashtohet mundësia që këta zyrtarë shumë shpejt të marrin aktgjykimet shfajësuese.

Por pavarësisht që edhe në partitë e tjera në pushtet ka zyrtarë me pozita të cilët kanë aktakuza, Ismaili ka thënë se shenjat e para nga këto subjekte nuk tregojnë se do të ketë vendime të ngjashme.

“Kryeministri i vendit e tha që vendimet e tij nuk varen nga vendimet e dikujt tjetër, duke çuar mesazhin që nuk e ka ndërmend të marrë masa ndaj ministrave nga subjekti i tij, të cilët janë nën aktakuzë. Madje ai tha se këto po bëhen për kalkulime politike. Rrjedhimisht nuk pres se do të kemi lëvizje as nga subjektet e tjera politike që kanë zyrtarë të tyre nën aktakuza”, ka theksuar ai.