U avancuan me aktakuza, shkarkohen për aktakuza
Foto: Laura Hasani

U avancuan me aktakuza, shkarkohen për aktakuza

Aktuale June 20, 2019 - 07:53
Lexo tjera detaje

Image

Image

Besim Beqaj, Agim Çeku, Zenun Pajaziti, Qemajl Mustafa, Sami Lushtaku, Njazi Kryeziu para dy dite u zgjodhën anëtarë të Këshillit Drejtues të PDK-së, ndonëse kishin aktakuza të ngritura nga Prokuroria, ndërsa brenda 48 orëve u shkarkuan nga shefi i partisë, Kadri Veseli, pikërisht për shkak të problemeve të tilla me drejtësinë, shkruan gazeta "Zëri".

Dy ditë pas përfundimit të Konventës Festive të PDK-së, ku paralajmëroi luftim të korrupsionit, kryetari i PDK-së Kadri Veseli dje mori vendim t’i largojë nga pozitat institucionale dhe partiake të gjithë zyrtarët e partisë së tij, të cilët kanë aktakuza të ngritura nga institucionet e drejtësisë.

Por vetëm pak ditë para se të merrej ky vendim PDK-ja e Kadri Veselit kishte zgjedhur anëtarë të Këshillit Drejtues edhe të atillë me aktakuza. Megjithëkëtë, si rrjedhojë e vendimit zyrtarët që kanë pozita në strukturat e partisë, ministrat e deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që janë me aktakuza do të detyrohen t’i braktisin postet e tyre deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata. Ministri i Inovacionit dhe i Ndërmarrësisë Besim Beqaj, zëvendësministri i Mbrojtjes Agim Çeku, anëtarët e Këshillit Drejtues Qemajl Mustafa, Nijazi Kryeziu, Adem Grabovci e Zenun Pajaziti janë disa prej personave, të cilët janë të thirrur ta zbatojnë këtë vendim.

Të kontaktuar nga gazeta disa prej tyre kanë thënë se e mirëpresin vendimin e shefit të partisë, rrjedhimisht do t’i lëshojnë menjëherë pozitat e tyre. Pavarësisht kësaj, njohësit e çështjeve politike dhe përfaqësuesit e opozitës shprehen skeptikë për seriozitetin e kësaj nisme.

Veseli: Jemi të vendosur për luftën kundër korrupsionit

Gjersa ka bërë të ditur vendimin për largimin nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të zyrtarëve të PDK-së të cilët kanë aktakuza të ngritura, kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka thënë se qytetarët janë ngopur nga fjalët për luftë ndaj korrupsionit, ndaj duhen vepra konkrete. “Në mandatin e ri si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës kam përcaktuar prioritetet tona themelore si parti moderne me profil demokratik e perëndimor. Në fillim të kësaj jave unë jam zotuar se do të angazhohem fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, të nepotizmit dhe të dukurive të neveritshme të abuzimit. Këtë po e presin qytetarët nga ne, sepse ata janë të ngopur me fjalë dhe duan të shohin veprime konkrete”, ka deklaruar ai.

Gjatë një konferencë të mbajtur për medie dje Veseli tha se PDK-ja së pari po fillon me veten e pastaj këtë standard do ta shtrijë në çdo segment. “Sot, jam para jush, për të dëshmuar se jemi të vendosur në këtë betejë. Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si kryetar i PDK-së, kam vendosur që të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për ‘Keqpërdorim të pozitës zyrtare’, ‘Korrupsion’ ose ‘Nepotizëm’ t’i lirojnë funksionet menjëherë”, ka theksuar Veseli.

Beqaj largohet nga posti i ministrit, Totaj përmendet si pasardhës i tij

Pas vendimit të Veselit gjatë ditës së djeshme është deklaruar zëvendësministri Agim Çeku, i cili në ditët e fundit është zgjedhur edhe anëtar i Këshillit Drejtues, me ç’rast ka thënë se është njoftuar paraprakisht nga kryetari i partisë se nuk do të jetë më në pozitën e zëvendësministrit. Agim Çeku ka të ngritur aktakuzë për “Manipulim me listat e veteranëve”.

Ndërkohë gazeta ka tentuar disa herë gjatë të mërkurës të marrë një qëndrim edhe nga ministri Besim Beqaj, mirëpo ai ka qenë i paqasshëm gjatë gjithë kohës. Para më shumë se një viti ndaj Beqajt ishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe të banorëve të Republikës së Kosovës”, në rastin “Pronto”.

Si pasardhës i Beqajt është përfolur emri i ish-kandidatit për kryetar të Prizrenit nga PDK-ja, Shaqir Totajt. I pyetur nëse ka diçka të vërtetë në këtë drejtim, Totaj duke mos pohuar e duke mos mohuar ka thënë se do ta respektojë secilin vendim që merret nga i pari i partisë. “Unë e kam parë prej medieve vendimin që e ka marrë Veseli, ndërsa sa i përket zëvendësimit të ministrit Beqaj, unë do ta respektoj atë që e vendos kryetari Veseli sa i përket angazhimit tim eventual. Unë nuk mund të them asgjë më tepër përveçse do të jem i gatshëm që çfarëdo që kërkon kryetari i partisë, jam i gatshëm për të bashkëpunuar me të”, ka theksuar Totaj për gazetën.

Mustafa largohet nga dy pozita, mirëpret vendimin e Veselit

Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka thënë se vendimi i Veselit është plotësisht i pranueshëm për të, ndonëse pas këtij vendimi ai duhet t’i lirojë dy pozita brenda PDK-së, atë të kryetarit të Degës në Gjilan dhe atë të Këshillit Drejtues të PDK-së. “Në fakt jemi shumë të vonuar, është dashur që kryetari Veseli dhe kryetari para tij ta marrin këtë vendim shumë më herët, për shkak se po nuk nisëm ta pastrojmë oborrin tonë, atëherë si do të na besojnë qytetarët e Kosovës që ne kemi moral politik, vendosmëri për ta qeverisur Kosovën, për ta avancuar shoqërinë, për ta zhvilluar ekonomikisht dhe për të dhënë shanse të barabarta për të gjithë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Madje vendimin në fjalë Mustafa ka thënë se e ka pritur me shumë zemërgjerësi. “Unë e mirëprita jashtëzakonisht mirë këtë vendim edhe pse jam njëri nga të akuzuarit për kinse ‘Keqpërdorim të detyrës zyrtare’ dhe për ‘Abuzim me fondet publike’, gjë që nuk qëndron dhe unë e di si do të jetë fundi i asaj aktakuze, por kjo nuk më dhëmb mua aspak. Të them të drejtën më erdhi shumë mirë dhe e prita me zemërgjerësi”, ka potencuar Mustafa, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për “Shpërdorim i pozitës zyrtare”.

Sejdiu: Vendimi i Veselit, artificial

Korab Sejdiu, anëtar i Komisionit për Legjislacion, ka thënë se veprimi i Veselit për t’i larguar nga pozitat institucionale dhe partiake zyrtarët ndaj të cilëve janë të ngritura aktakuza janë artificiale. “Janë disa veprime në tentativë për ta përmirësuar një imazh të degraduar tërësisht dhe nga frika e ndëshkimit të elektoratit. Thjesht, po mundohen të manovrojnë me disa veprime artificiale, por besoj se në zgjedhjet e ardhshme verdikti i qytetarëve do të jetë shumë i qartë për të gjithë”, ka deklaruar ai.

Sejdiut, problem më të madh paraqesin disa zyrtarë ndaj të cilëve nuk merret guximi për ngritjen e aktakuzave sesa ata ndaj të cilëve tashmë janë ngritur aktakuzat. “Nuk besoj se shkon drejt thelbit të problemit, ajo është prapaskenë dhe mënyrë e të vepruarit që është e mishëruar në gjenezën e kësaj partie. Problemi nuk është me këta që Prokuroria ka pasur guxim t’u ngrejë aktakuzë, por problemi është me atë pjesën tjetër që nuk guxojnë as t’i përmendin e lëre më t’u ngrenë aktakuzë për veprimet e tyre”, ka theksuar deputeti i Kuvendit të Kosovës.

IKD: Qasja e PDK-së të ndiqet edhe nga partitë tjera

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka konsideruar se me vendimin e Veselit ka filluar të jetësohet kërkesa për qeveri me duar të pastra. Ky vendim sipas tij jep shpresë për qeverisje të mirë ku sundon ligji. “Vendimi i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, është fillim i mirë dhe jep shpresë. Personat me aktakuza dhe që kanë probleme me ligjin nuk kanë vend në institucione publike dhe së paku në një parti politike. Le të shpresojmë se ky do të jetë standard i ri i qeverisjes në Kosovës”, ka deklaruar Miftaraj.

Shembulli i njëjtë sipas tij duhet të ndiqet edhe nga partitë tjera, të cilat në mesin e tyre kanë zyrtarë me aktakuza. “Qasja e tillë duhet të ndiqet edhe nga kryeministri Haradinaj me ministrat nga AKK-ja, nga Fatmir Limaj në Nisma dhe nga partitë që janë në pushtet e në opozitë, jo vetëm në nivelin qendror, por edhe në atë lokal. Një shtet që aspiron vlerat e Bashkimit Evropian nuk mund dhe nuk duhet të lejojë të qeveriset me njerëz, të cilët kanë probleme me ligjin”, ka potencuar ai.

Në anën tjetër, teksa ka komentuar vendimin e liderit të PDK-së për t’i larguar nga pozitat zyrtarët me aktakuza, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka thënë se PDK-ja e ka arritur kulmin e problemeve me ligjin. Ndaj sipas tij është e vështirë që PDK-ja të pastrohet nga krimi. /ZERI