Konkurs publik për agjentë të fshehtë në AKI
FOTO: Laura Hasani

Konkurs publik për agjentë të fshehtë në AKI

Aktuale June 18, 2019 - 10:27
Lexoni detajet

Qindra qytetarë të Kosovës kanë pritur të premten që lamë pas, por edhe dje te zyrat e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) për të dorëzuar aplikacionin në lidhje me konkursin e shpallur për rekrutimin e agjentëve të rinj. Ndonëse “spiunët” nuk do të duhej të identifikohen, shumica e aplikuesve e kanë parë se kush janë të interesuar për t’u bërë agjentë. Kandidatët më të suksesshëm pritet të punësohen nga AKI-ja pas përmbylljes së procedurave të konkursit, shkruan Gazeta "Zëri". 

Ndonëse Agjencia Kosovare e Inteligjencës në konkurs ka kërkuar edhe rekrutë të rinj për inteligjencë, mbikëqyrës të kësaj agjencie shprehen se nuk është problematike që konkursi për të të jetë i hapur, pasi që procedurat e rekrutimit do të jenë të mbyllura.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate e njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Faton Topalli, ka thënë për “Zërin” se si çdo institucion tjetër edhe AKI-ja është e obliguar me ligj që ta bëjë publik konkursin.

“Çështja e konkursit të hapur është obligim ligjor dhe ky obligim ligjor vlen edhe për AKI-në, kështu që AKI-ja nuk ka mundësi të tjera të përzgjedhjes së kuadrove përveç konkurseve. Në fakt vetëm hapja e konkursit për vendin e punës është publike, pastaj kush rekrutohet në këto pozita nuk është e hapur për opinionin”, ka thënë Topalli.

Edhe profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, shprehet se për shkak të numrit të madh të atyre që kanë konkurruar nuk mund të dihet se kush do të pranohet, prandaj sipas tij konkursi i hapur nuk është kurrfarë shqetësimi.

“Nuk ka asgjë të keqe që përmes konkursit të pranohen ata që janë më të mirë. Prej të gjithë atyre që konkurrojnë as unë, as ti nuk e dimë dhe nuk mund ta dimë kush është pranuar, sepse ruhet konfidencialiteti”, ka thënë Islami. /ZERI