'Spiunët' publikë të AKI-së
FOTO: Laura Hasani

'Spiunët' publikë të AKI-së

Aktuale June 18, 2019 - 07:55
Lexoni detajet
Image

Interesim të madh ka zgjuar konkursi publik i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) për përzgjedhjen e agjentëve të fshehtë. Qindra qytetarë janë parë të premten që lamë pas, por edhe dje para dyerve të këtij institucioni duke pritur për ta dorëzuar aplikacionin. Ekspertët e sigurisë thonë se duhet të ketë ndryshime mbi procedurën e rekrutimit në këtë institucion, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Qindra qytetarë të Kosovës kanë pritur të premten që lamë pas, por edhe dje te zyrat e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) për të dorëzuar aplikacionin në lidhje me konkursin e shpallur për rekrutimin e agjentëve të rinj.

Ndonëse “spiunët” nuk do të duhej të identifikohen, shumica e aplikuesve e kanë parë se kush janë të interesuar për t’u bërë agjentë. Kandidatët më të suksesshëm pritet të punësohen nga AKI-ja pas përmbylljes së procedurave të konkursit, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Gazeta “Zëri” i ka dërguar dje pyetje AKI-së në lidhje me interesimin e qytetarëve të Kosovës për t’u punësuar në këtë institucion, pas mbylljes së konkursit 15-ditor, por institucioni që udhëhiqet nga Shpend Maxhuni nuk ka kthyer kurrfarë përgjigjeje.

Konkurs publik për agjentë të fshehtë

Ndonëse Agjencia Kosovare e Inteligjencës në konkurs ka kërkuar edhe rekrutë të rinj për inteligjencë, mbikëqyrës të kësaj agjencie shprehen se nuk është problematike që konkursi për të të jetë i hapur, pasi që procedurat e rekrutimit do të jenë të mbyllura.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate e njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Faton Topalli, ka thënë për “Zërin” se si çdo institucion tjetër edhe AKI-ja është e obliguar me ligj që ta bëjë publik konkursin.

“Çështja e konkursit të hapur është obligim ligjor dhe ky obligim ligjor vlen edhe për AKI-në, kështu që AKI-ja nuk ka mundësi të tjera të përzgjedhjes së kuadrove përveç konkurseve. Në fakt vetëm hapja e konkursit për vendin e punës është publike, pastaj kush rekrutohet në këto pozita nuk është e hapur për opinionin”, ka thënë Topalli.

Edhe profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, shprehet se për shkak të numrit të madh të atyre që kanë konkurruar nuk mund të dihet se kush do të pranohet, prandaj sipas tij konkursi i hapur nuk është kurrfarë shqetësimi.

“Nuk ka asgjë të keqe që përmes konkursit të pranohen ata që janë më të mirë. Prej të gjithë atyre që konkurrojnë as unë, as ti nuk e dimë dhe nuk mund ta dimë kush është pranuar, sepse ruhet konfidencialiteti”, ka thënë Islami.

Qehaja: Konkursi publik eviton mundësitë e nepotizmit në AKI

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë për “Zërin” se konkursi publik për punësimin e agjentëve në AKI largon mundësitë e punësimeve nepotiste e klienteliste.

“Pavarësisht asaj që AKI-ja është institucion mjaft i mbyllur, përmes konkursit mund të mënjanohen të gjitha dukuritë negative siç janë nepotizmi, pranimi i njerëzve në baza partiake e të tjera. Pra mendoj që punësimi i këtyre personave me anë të konkursit eviton problemet eventuale që mund të vijnë në të ardhmen e që mund të jenë shumë të mëdha nëse nuk kemi të bëjmë me persona profesionalë”, ka thënë Qehaja.

Kriteret dhe kapacitetet për AKI-në

Më tutje Avni Islami shprehet se përmes konkurrimit rritet vlera e cilësisë së punëtorëve të AKI-së, duke shtuar se Kosova ka shumë kapacitete që mund të shërbejnë në Agjenci të Inteligjencës.

“Duhet të ndahen fonde të veçanta nga ana e Qeverisë së Kosovës që të rritet numri i punëtorëve në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, aq më tepër kur dihet se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme të personave që mund të shërbejnë në AKI. Kosovës i duhen agjentë të specializuar, në mënyrë që t’u kundërvihen informacioneve të rrejshme të agjencive të huaja armike për Kosovën, që në këtë rast është inteligjenca e Serbisë dhe e Rusisë”, ka deklaruar Islami.

Në konkursin e AKI-së kërkohen për pranim edhe persona që kanë të përfunduar vetëm shkollën e mesme, gjë e cila sipas Ramdan Qehajës mund të korrespondojë me detyrat të cilat do të kryhen brenda AKI-së, por që më e përshtatshme do të ishte rekrutimi i personave që kanë të kryer fakultete.

“Ndërsa sa u përket kritereve, mendoj se do të ishte më normale që nëse detyrat janë specifike të kërkohen persona të cilët kanë të kryer fakultete, njerëz akademikë dhe që mund të japin kontributin e duhur. Por pavarësisht prej saj nuk mund të themi që ata nuk kanë të drejtë ta shpallin konkursin për njerëz me shkollë të mesme nëse detyrat janë të tilla”, ka theksuar ai.

Shala: Të ndryshojë procedura e rekrutimit

Ndërsa Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, është shprehur për “Zërin” se çështjet e rekrutimit të agjentëve të rinj në AKI përcaktohen me ligj.

Për shkak të mbikëqyrjes së AKI-së nga ana e Parlamentit, Shala thotë se procedurat e rekrutimit nuk mund të zhvillohen në besueshmëri të plotë, por që sipas tij nevojitet të plotësohet ligji mbi formën e rekrutimit.

“Mbikëqyrja e autoritetit civil (Parlamenti) e pamundëson që procedurat e rekrutimit për të qenë pjesë e AKI-së të mundë të zhvillohen në konfidencialitet dhe mendoj se në këtë pikë mund të ngrihet një plotësim/ndryshim i ligjit mbi formën e rekrutimit. Mendoj që duhet të ketë ndryshime mbi procedurën e rekrutimit në harmonizim me kërkesat e drejtorit të AKI-së, që kjo të zhvillohet duke mos shpallur konkurs publik, por të bëhet seleksionimi i ‘agjentëve potencialë’ në një periudhë testuese dhe monitoruese nga agjentët që punojnë në agjenci”, ka thënë Shala.

Shala thotë se “agjentët potencialë” mund të jenë bashkëpunëtorë ose informatorë, të cilët minimialisht kanë pasur lidhje 5-vjeçare me AKI-në, informatave të të cilëve u është bërë verifikim paraprak për saktësinë e tyre, në mënyrë që të marrin statusin e agjentit.